Tashmë, psikoterapia është një shkencë e konsoliduar, por teknika e kurës nëpërmjet të folurit, prej së cilës ajo u zhvillua, daton rreth 200 vjet më parë. Psikoterapia u zhvillua si një teknikë për të trajtuar çrregullimet e lidhura me psikikën e njeriut, atëherë kur teknikat e mëparshme të trajtimeve mjekësore nuk jepnin asnjë rezultat në trajtimin e disa pacientëve. 

Kjo teknikë e re e trajtimit, për herë të parë arriti kulmin në psikanalizën e Sigmund Frojd – krijuar si një teknikë trajtimi, por edhe si një teori mbi gjendjen dhe sjelljen njerëzore: zhvillimin e psikikës, funksionet e saj, shkaqet dhe mekanizmat e çrregullimeve që lidhen me të. Klienti luan rolin kryesor në psikoterapi. Klienti duhet të jetë i gatshëm të përkushtohet ndaj këtij procesi që do të thotë: ndjekja e rregullt e seancave dhe kontributi aktiv në të folurin mbi veten dhe qëllimet e tij në psikoterapi (Dr. Elisabeth Dokulil, 2007).

 

Psikoterapia shëron vuajtjen e shkaktuar nga çrregullime të shëndetit mendor duke ndihmuar njerëzit të përballen me vuajtjen dhe origjinën e saj, ngjarje të dhimbshme të jetës individuale e sociale; humbjen dhe konfliktet në punë, në jetën në çift e në përgjithësi në marrëdhëniet ndërpersonale. 

Problemet e shëndetit mendor janë probleme të shëndetit, dhe duhet të trajtohen në kohën e duhur nga ekspertë të kualifikuar sepse nuk mund të kalojnë pa trajtim. Nuk ka arsye për të patur turp që të kërkosh ndihmën e një psikoterapisti (Dr. Anxhela Gramo, 2010)