Një vështrim mbi kontekstin shqiptar Realiteti që njohim e pranojmë si të tillë nuk është rastësisht unik, por as rastësisht i ngjashëm me realitetin e dikujt tjetër. Dija dhe vetëdija na lejon të kuptojmë vetëm një pjesë të tij. Traumat jetësore individuale bëhen shpeshherë përgjegjëse për cilësinë e jetës që kemi. Koncepti i të pavetëdijshmes sociale hap një perspektivë më përfshirëse në konceptualizimin e shëndetit mendor të individit. Trauma individuale zë fill e thellohet mbi terrene traumash kolektive, kulturore, sociale, politike, ekonomike, etj. Të mbivendosura e ndërfutura te njëra tjetra, ato mund të frenojne apo kufizojnë zhvillimin normal të personalitetit të individit si dhe të drejtën e tij për të jetuar. Sot, shqiptarët janë ende në “luftë” me veten për të kuptuar realitetin e tyre. Dinamikat sociale, ekonomike dhe politike në ndryshim të vazhdueshëm që prej rënies së rregjimit komunist, e vështirësojnë më shume sfidën e tyre. Studimet ndërkombëtare mbi traumën e përjetuar në vendet ish-komuniste i referohen universalitetit të traumës që ndikon shëndetin mendor të individëve në mënyrë të vazhdueshme, afatgjatë dhe në mënyre komplekse. Psikanaliza e grupit paraqet një këndvështrim të plotë të matriksit kulturor të traumës së shqiptarëve si dhe një mënyrë të përshtatshme klinike për ta trajtuar atë përmes simptomave të manifestuara nga shoqëria shqiptare. E tashmja merr jetë prej kuptimit qe i japim së shkuarës sonë, e kjo na jep mundësi të jemi të lirë ose të mbetemi të varur prej saj, si dikur prej ideologjise komuniste.