Aplikimi i Analizës së Grupit në Shërbimet e Shëndetit Mendor dhe Shëndetësore Në datën 12 Nëntor 2015, në ambjentet e Telemjekësisë, Sektori i Shëndetit Mendor pranë Departamentit të Promocionit Shëndetsor në ISHP, në bashkëpunim me sektorin psikosocial në Qëndrën Spitalore Universitare” Nënë Tereza” dhe Qëndra Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike, organizuan një seminar të hapur me temë: “Aplikimi i Analizës së Grupit në Shërbimet e Shëndetit Mendor si dhe Shëndetësore”. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që të ofronte disa koncepte bazë mbi Analizën e Grupit, nevojën që kanë punonjësit shëndetsor, sidomos ata të cilët punojnë në shërbimet shëndetsore mendore për aplikimin e kësaj qasjeje në kontekste të ndryshme. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi domosdoshmërinë e procesit të supervizimit të profesionistëve të shëndetit mendor; u prezantuan aplikime të ndryshme të punës në grup, grupe terapeutike, mbështetjeje dhe grupe psiko-edukative në sektorin e shëndetit mendor. Kualifikimi mbi modalitetet e trajtimit në grup është një mundësi e mire për të aftësuar profesionistët e shëndetit mendor për të ngritur dhe drejtuar grupe të ndryshme në përputhje me qëllimet profesionale. Seminari ishte konceptuar në formë bashkëbisedimi, ku të pranishmit me profile të ndryshme profesionale si psikolog, punonjës social dhe infermier dhanë mendimet dhe eksperiencën e tyre, në lidhje me menaxhimin e rasteve konkrete si dhe u shprehën se është e nevojshme ofrimi i supervizimit, si një domosdoshmëri për një mbarëvajtje sa më të mirë të punës dhe rritjes së tyre profesionale.