Qendra Rinore e Tiranës

10 Tetor 2017, 18:00-20:30

Në 10 Tetor, Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, Qendra Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike (ACPPS), Shoqata “Analiza e Grupit në Shqipëri” (AGSH), si dhe Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) vijnë sëbashku në një aktivitet ndërgjegjësues për probleme të shëndetit mendor, ku në fokus është përdorimi i substancave. Shëndeti mendor, vetëvrasja, problemet që lidhen me abuzimin dhe varësinë nga drogat njihen si faktorët kryesorë të paaftësisë për shkak të sëmundshmërisë në vend (ISHP, 2017).

Mungesa e të dhënave mbi prevalencën e problemeve të shëndetit mendor në Shqipëri nga njëra anë, si dhe stigma e lidhur me ndjenjat e turpit dhe të fajit rrënjosur në shoqërinë shqiptare, e bëjnë të vështirë të kuptuarin e asaj që ndodh vërtetë me ata që vuajnë, apo që nuk arrijnë të kuptojnë ose të shprehin vuajtjen e tyre. Janë këto arsyet, të cilat na nxitën të mendojmë për një format të ri ndërgjegjësimi, i cili është konceptuar të jetë një bisedë e hapur mes profesionistëve, nxënësve, studentëve, prindërve, lektorëve dhe cdonjërit prej atyre që kanë dicka për të thënë për atë që nuk komunikohet dot lehtësisht.

 

 

 

 

 

 

Statistika kombëtare dhe ndërkombëtare

  • Depresioni njihet si shkaku kryesor i paaftësisë në të gjithë botën (OBSH, 2012)
  • Vetëvrasja renditet shkaku i dytë i vdekjeve në botë dhe në Evropë për grupmoshën 15-29 vjeç (OBSH, 2016)
  • Rreth 15.3% e nxënësve të klasave të 9-ta dhe të 10-ta kanë provuar minimalisht një lloj droge të paligjshme të paktën një herë gjatë gjithë jetës (përfshirë mariuanën, sedativët pa recetë mjekësore, alkoolin të kombinuar me pilula dhe medikamentet kundër dhimbjes).
  • Kokaina është droga e dytë më prevalente e përdorur nga nxënësit e klasave të 9-ta dhe të 10-ta në vitin 2015 (3.7%), ndërsa në vitin 2011, vendin e dytë e zinte ecstasy (1.6%).
  • Krahasuar me vitin 2011, në vitin 2015 janë rritur përqindjet e nxënësve që mendojnë se mund të sigurojnë lehtë apo shumë lehtë amfetamina, sedativë pa recetë dhe

Për fat të keq, substancat përzgjedhin gjithmonë një target mjaft vulnerabël: të rinjtë. Të bësh drogë sot, konsiderohet “cool”. Të eksperimentosh me emocionet e tua është një rutinë që shumëfishon emocionet pozitive, manipulon emocionet negative por gjithnjë përfundon në dhimbje e vuajtje. Varësia ndaj drogave sjell një seri problematikash, që prej problemeve me shkollën, izolimin, deri dhe vdekjen në raste ekstreme. Abuzimi me drogat lidhet kryesisht me presionin shoqëror për të qenë pjesë e një grupi. Gjatë këtij proçesi të rinjtë nuk kanë mundësinë per të folur për ndjenjat e tyre dhe si pasojë ndodh alienimi nga shoqëria. Në këtë mënyrë i riu merr vetvetiu një rruge tjetër: atë ku ai nuk mendon, nuk ndjen dhe nuk flet.

Studimet tregojnë se njohja e faktorëve të rrezikut dhe atyre mbrojtës është domosdoshmëri për ndërgjegjësimin dhe parandalimin e problemeve të shëndetit mendor. Këta faktorë na shoqërojnë në cdo periudhë zhvillimore dhe prekin kontekstin individual, familjar, social dhe atë kulturor. Zanafilla e tyre mund të vijojë që nga predispozita gjenetike e përforcohet veçanërisht nga faktorët kontekstual. Sa më afatgjatë të jetë ekspozimi i individit ndaj faktorëve të rrezikut aq më shumë propabilitet ka përfshirja e tij në sjellje të rrezikshme, ndryshe sjellje vetë-shkatërruese, siç është abuzimi me substanca. Në dukje, abuzimi me substancat vjen si zgjidhje ndaj vuajtjes, por bëhet një tjetër problem.

Partnerët

  1. Qendra Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike (ACPPS) është një organizatë jofitimprurëse e cila ka për qëllim inkurajimin e mirëqenies mendore të individit.
  2. Shoqata “Analiza e Grupit në Shqipëri” (AGSH), ka për qëllim zhvillimin e analizës së grupit, si një modalitet ndërkombëtarisht i njohur për të reduktuar vuajtjen mendore dhe trazimin emocional. www.groupanalysisalbania.org
  3. Instituti i Shëndetit Publik është një organizatë qeveritare e cila në fokus të saj ka shëndetin publik dhe vepron nëpërmjet parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve, dëmtimeve, paaftësive, e faktorëve dëmtues shëndetësor të mjedisit. www.ishp.gov.al