Historiku

Qendra Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike (QShShPP) është themeluar në 14 Maj, 2014 sipas
ligjit shqiptar për organizatat joqeveritare. E vendosur në Tiranë, kjo qendër ka për qëllim të operojë në të gjithë Shqipërinë. QShShPP u krijua me iniciativën e një grupi profesionistësh në fushën e shëndetit mendor, të edukimit dhe të të drejtave të njeriut për t’u angazhuar në një nga sfidat më të mëdha që individët ndeshin në ditët e sotme: parandalimin dhe trajtimin e problemeve të shëndetit mendor.
Në shoqërinë shqiptare në mënyrë të veçantë, edhe pse shqetësimi mbi problemet e shëndetit mendor nuk është aspak i ri, hapat që janë ndërmarrë në këtë drejtim janë të pamjaftueshme.
Puna e Qendrës Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike bazohet në bindjen se mirëqenia mendore, si një element themelor i mirëqenies së përgjithshme individuale, meriton vëmendje dhe përkushtim të veçantë. Për këtë arsye,
synimi kryesor i punës së Qendrës është promovimi i mirëqenies mendore nëpërmjet:

  • ndërgjegjësimit të individëve për t’u çliruar nga frikërat dhe stigma ndaj marrjes së shërbimeve psikologjike dhe psikoterapeutike;
  • përmirësimit të shërbimeve psikologjike dhe psikoterapeutike si dhe të cilësisë së tyre.