Qendra Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike prezanton ekspozitën me fotografi bardhezi realizuar nga Ted Misha “Fotografia e 21-të: Përpara pasqyrës nuk ka diagnozë.” Kjo ekspozitë ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin publik mbi shëndetin mendor dhe çështjeve që lidhen me të. Gjatë shekullit të 20-të, fotografia u përdor si një mjet sensibilizimi për çështje të rëndësisë publike përfshirë edhe individët në nevojë. Prania e fotografisë për vlerat artistike si dhe ato të dokumentimit i ka shërbyer zbulimit të së vërtetës së fshehur nga sytë e shoqërisë. Fuqia e imazhit të ngrirë bën të mundur që ne të pozicionojmë veten në perspektivën e atyre që shohim në imazh dhe si rrjedhojë, t’i kuptojmë ata më mire, por edhe të reflektojmë mbi fenomenin dhe veten. Kjo ekspozitë me 20 portrete bardh e zi është konceptuar si një mundësi për të njohur atë që nuk dimë; për të zbuluar veten, stigmën dhe paragjykimet tona mbi shëndetin mendor. Portretizimi i tipareve të individëve tenton të na sjellë më afër ngjashmërive sesa ndryshimeve që ndajmë të gjithë sëbashku. NE…. DHE FOTOGRAFIA E 21-TË Ky projekt u realizua në bashkëpunim me Galerinë KALO, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Shëndetësisë, Adrion Ltd, POSH dhe Phm West.